Miratimi i Planit të Konservimit për Parkun Arkeologjik të Bylis-Klos

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në mbledhjen e fundit dt.19.12.2025 Planin e Konservimit për Parkun Arkeologjik të Bylis-Klos, një dokument strategjik dhe ndër më të rëndësishmit për menaxhimin e një parku arkeologjik në Shqipëri.

Ky plan përfaqëson një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore të Bylisit, duke ofruar udhëzime të qarta për menaxhimin e kushteve të ruajtjes së monumenteve dhe për promovimin e aksesit të vizitorëve në mënyrë të qëndrueshme.

Përgatitja e planit ka përfshirë kontributin e ekspertëve të njohur italianë dhe shqiptarë, si dhe të specialistëve të Institutit të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Procesi përfshiu dokumentime të detajuara, konsultime me ekspertë të fushës dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin lokal, për të siguruar që plani të reflektojë nevojat dhe karakteristikat specifike të zonës.

Planifikimi i konservimit përfshin edhe elemente të tjera strategjike, përfshirë trajtimin e rrezikut nga faktorët natyror, menaxhimin e vizitorëve, zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe sensibilizuese për publikun, si dhe krijimin e një modeli bashkëpunimi ndër-institucional për monitorimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve.