29 shtator 2026 | Parku Arkeologjik Bylis–Klos, Mallakastër
Më 29 shtator 2026, në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos u zhvillua ceremonia zyrtare e nisjes së punimeve infrastrukturore dhe konservuese, në kuadër të projektit “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi, me Fokus në Trashëgiminë Kulturore” (AID 12293). Projekti, me një buxhet të përgjithshëm prej 6.25 milionë eurosh, bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS) dhe zbatohet nga AICS Tirana, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
Në ceremoni morën pjesë Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, përfaqësuesi i Ambasadës së Italisë në Tiranë, Mario De Rosa, Drejtuesja e Zyrës së AICS në Tiranë, Annamaria Iotti, Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, si dhe përfaqësues të administratës së Parkut, institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe kompanive të angazhuara në realizimin e punimeve.
Aktiviteti nisi me një vizitë në kantierin e Qendrës së re Multifunksionale, ku u prezantuan ndërhyrjet infrastrukturore të parashikuara dhe ecuria e punimeve. Qendra do të përfshijë hapësira muzeale, ambiente dhe shërbime për vizitorët, hapësira për kërkimin dhe konservimin arkeologjik, si dhe ambiente funksionale për administrimin e Parkut. Investimi synon të përmirësojë kushtet e pritjes së vizitorëve dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore, duke siguruar njëkohësisht infrastrukturën e nevojshme për administrimin dhe funksionimin e Parkut.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh edhe me rezultatet e kërkimeve arkeologjike të kryera në zonën e ndërtimit të Qendrës Multifunksionale, ku gërmimet paraprake kanë dokumentuar gjetje arkeologjike të periudhave të ndryshme historike.
Ceremonia vijoi me mbjelljen simbolike të dy pemëve të ullirit, si shenjë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit Italian për mbrojtjen dhe zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis–Klos.
Më pas, delegacioni vizitoi Bazilikën D, një prej pesë monumenteve dhe komplekseve arkeologjike të përfshira në programin e konservimit, ku po realizohen ndërhyrje restauruese, përfshirë konservimin e mozaikëve. Programi përfshin edhe Teatrin e Bylisit, Teatrin e Klosit, Cisternën dhe Termat e Justinianit, si dhe Prytaneionin dhe Arsenalin. Ndërhyrjet bazohen në Planin e Konservimit dhe Planin e Menaxhimit të Parkut, të përgatitur në kuadër të projektit.
Nisja zyrtare e këtyre punimeve shënon kalimin nga faza e planifikimit dhe projektimit drejt realizimit të investimeve konkrete në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos. Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale dhe konservimi i monumenteve do të krijojnë kushte më të mira për mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë arkeologjike, administrimin e Parkut dhe përvojën e vizitorëve. Të ndërthurura me aktivitetet e trajnimit të personelit dhe mbështetjen e iniciativave lokale të turizmit, këto investime synojnë ta kthejnë trashëgiminë kulturore në një burim më të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik për Mallakastrën dhe komunitetet përreth.












