Kanë nisur punimet për konservimin e pesë monumenteve kryesore në Parkun Arkeologjik të Bylisit, një ndërhyrje që shënon fillimin e fazës së zbatimit të Planit të Konservimit sipas Planit të Menaxhimit të Parkut.
Ndërhyrjet do të përqendrohen në:
- Teatrin e Bylisit;
- Teatrin e Klosit (Nikaia antike);
- Cisternën dhe Termat e Justinianit;
- Prytaneionin dhe Arsenalin;
- Bazilikën D.
Punimet synojnë stabilizimin, konservimin dhe ruajtjen afatgjatë të këtyre monumenteve, duke respektuar standardet ndërkombëtare të konservimit të monumenteve arkeologjike. Paralelisht me ndërhyrjet fizike, ato do të kontribuojnë në përmirësimin e menaxhimit të parkut dhe krijimin e kushteve më të mira për vizitorët dhe aktivitetet kërkimore.
Këto ndërhyrje realizohen në kuadër të projektit “EU for Economic Development – Tourism-led Local Economic Development, with a Focus on Cultural Heritage”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS). Projekti zbatohet nga AICS në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe institucionet shqiptare të trashëgimisë kulturore.
Fillimi i punimeve përfaqëson një hap konkret në zbatimin e investimeve të projektit për mbrojtjen dhe vlerësimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit, me synimin për të forcuar rolin e tij si një nga destinacionet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Shqipëri.









