Më 10 tetor 2026, Bashkia Mallakastër prezantoi për herë të parë për publikun ofertën e saj të re të integruar turistike përmes aktivitetit “Hidden Mallakastër”, një event falas i zhvilluar në fshatin Klos, i cili u ofroi vizitorëve mundësinë të zbulonin anën më pak të njohur të territorit: qytetin antik të Nikajës, shtëpitë historike të fshatit, vajin e ullirit, si dhe prodhuesit dhe artizanët vendas që mbajnë gjallë traditat e zonës.
Aktiviteti ishte veprimtaria kryesore promovuese e projektit BYLLIS – BE për Zhvillimin Ekonomik: Zhvillim Lokal i Udhëhequr nga Turizmi, me Fokus Trashëgiminë Kulturore dhe u organizua nga Rajoni i Emilia-Romagna-s dhe ART-ER, në bashkëpunim me Bashkinë Mallakastër.
I mbështetur në vizionin e përcaktuar në Strategjinë e Marketingut Turistik dhe të Markës Territoriale të Mallakastrës,të hartuar në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe komunitetin në kuadër të projektit, aktiviteti ishte i pari event publik i zhvilluar nën markën e re territoriale “Mallakastër – Peizazh i Trashëgimisë së Gjallë”, e cila është pjesë përbërëse e vetë Strategjisë.
Në aktivitet morën pjesë, si të ftuar, përfaqësues të agjencive turistike dhe operatorëve turistikë shqiptarë, me synimin për t’i prezantuar industrisë së turizmit Mallakastrën si një destinacion me identitet të qartë, me burime dhe atraksione që mund t’i mbajnë vizitorët për disa ditë, si dhe me një komunitet mikpritës.
“Hidden Mallakastër” shërbeu si një mundësi për të prezantuar të gjitha rezultatet e projektit BYLLIS që lidhen me përfshirjen e komuniteteve lokale në zhvillimin dhe promovimin më të mirë të shërbimeve dhe produkteve turistike.
Vizitat në një prej shtëpive më të vjetra të Klosit, monument kulture, u udhëhoqën nga Fondacioni i Arkitekturës në Shqipëri (Architecture Fund in Albania) dhe pronarët e shtëpisë, në kuadër të nismës “Open Door Klos” (Dyert e Hapura të Klosit). Kjo është një nga pesë nismat e mbështetura nga projekti BYLLIS për zhvillimin e sektorit të turizmit lokal. “Open Door Klos” synon posaçërisht ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore që përfaqësohet nga shtëpitë më të vjetra të Mallakastrës.
Përvojat e degustimit të vajit të ullirit u ofruan nga Youth ACT Center, e cila menaxhon nismën “Mallakastër Olive Oil Experience” (Përvoja e Vajit të Ullirit të Mallakastrës), një tjetër prej pesë nismave të mbështetura nga projekti BYLLIS. Kjo nismë i kushtohet krijimit të një marke të unifikuar për vajin e ullirit të prodhuar në zonë.
Në stendat me produkte vendase, si mjalti, bimët e egra aromatike, qumështi i bletës (pelte mbretërore) dhe ëmbëlsirat tradicionale, u prezantuan produktet e përfituesve të nismave të tjera të mbështetura nga projekti BYLLIS për zhvillimin e sektorit të turizmit lokal:
- “From Ancient Stones to Local Flavors” (Nga Gurët Antikë te Shijet Vendase), e zbatuar nga Shoqata Shqiptare e Marketingut, e cila punon për rritjen e cilësisë, krijimin e markave dhe promovimin e produkteve lokale.
- “Bylis Empowerment for the Advancement of Mallakaster” (Fuqizimi i Bylisit për Zhvillimin e Mallakastrës), e zbatuar nga Qendra Epoka e Re, e cila mbështet shërbimet lokale përmes trajnimeve dhe mentorimit.
- “Routes4Culture” (Rrugë për Kulturën), e zbatuar nga AULEDA – Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Lokal, e cila organizon masterclass-e për prodhuesit vendas në këtë kuadër.
Vizita e udhëhequr në sitin arkeologjik të Nikajës dhe turi njohës për agjencitë e operatorët turistikë u drejtuan nga guida turistike vendase, të cilat janë trajnuar dhe pajisur me licencë profesionale nëpërmjet projektit.
Ky aktivitet trajnimi, i realizuar nga Rajoni i Emilia-Romagna-s dhe ART-ER gjatë periudhës qershor–tetor 2025, me mbështetjen e NATGA – Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Guidave Turistike, përfshiu 16 banorë të zonës në një program 320-orësh. Qëllimi ishte që njohuritë e tyre mbi vendin ku jetojnë të shndërroheshin në një profesion.
Broshura promovuese, e shpërndarë te vizitorët, ishte produkti i parë konkret i realizuar nga grupi i punës publik-privat i Mallakastrës, i krijuar nga Bashkia Mallakastër dhe i mbështetur teknikisht nga Rajoni i Emilia-Romagna-s dhe ART-ER gjatë gjithë vitit 2026. Grupi, i përbërë nga përfaqësues të autoriteteve vendore dhe bizneseve lokale, po punon për krijimin e një Grupi Lokal të Veprimit, që do të mbështesë zhvillimin ekonomik të territorit.
Agjencitë dhe operatorët turistikë të ftuar vizituan gjithashtu atraksione lokale dhe biznese të lidhura me turizmin, përfshirë disa bujtina në pronësi të pjesëmarrësve në trajnimin që po zhvillohet aktualisht nga Rajoni i Emilia-Romagna-s dhe ART-ER. Ky trajnim synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të mikpritjes në Mallakastër.
Aktiviteti “Hidden Mallakastër” u shoqërua me një set muzikor nga DJ-ja dhe u mbyll me një performancë të papritur dhe emocionuese të Vendim Kapajt, i ftuar me dashamirësi nga Fondacioni i Arkitekturës në Shqipëri (Architecture Fund in Albania).















