Mbledhja Inaguruese e Komitetit Drejtues të Projektit të financuar nga BE- “BE për Zhvillimin Ekonomik Vendor të udhëhequr nga Turizmi në Shqipëri”
Tiranë, Shqipëri – 20.09.2024 – Mbledhja inaguruese e Komitetit Drejtues të projektit “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga Turizmi, me fokus në Trashëgiminë Kulturore” (Marrëveshja e Kontributit Nr. 2020/420-271) u zhvillua me sukses sot në Europe House, Tiranë. Në këtë takim morën pjesë partnerët kryesorë, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) – zyra rajonale në Tiranë, si dhe institucionet kryesore në sektorin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Ky projekt prej 6 milionë eurosh, financuar nga Bashkimi Evropian, me një kontribut shtesë prej 250,000 eurosh nga AICS, fokusohet në ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore në rajonin e Mallakastrës. Iniciativat kryesore përfshijnë konservimin e siteve arkeologjike në Bylis dhe Klos, përmirësimin e aksesit për vizitorët përmes krijimit të një qendre multifunksionale vizitorësh me muze fizik të integruar , si dhe zhvillimin e programeve për rritjen e kapaciteteve për studentë dhe ekspertë vendas. Projekti përfshin gjithashtu grante komunitare që synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor dhe përfshirjen më të gjerë të komunitetit.
Mbledhja u hap zyrtarisht nga znj. Stefania Vizzaccaro, Shefe e Zyrës së AICS në Tiranë, pasuar nga fjalët përshëndetëse të znj. Lira Pipa dhe z. Sokol Duma, Zëvendësministra të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilët theksuan qëllimet kryesore të takimit dhe pritshmëritë për projektin. Ndërkohë, z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, prezantoi një përmbledhje të aktiviteteve dhe arritjeve të projektit deri më tani, si dhe përditësimet mbi afatet kohore.
Z. Ilir Parangoni, Drejtues i Ekipit të Projektit pranë AICS Tiranë, bëri një prezantim të detajuar mbi planin e menaxhimit të projektit dhe momentet kyçe që pritet të arrihen deri në vitin 2027.
Më pas, diskutimet vazhduan me ndërhyrjet e znj. Eridana Cano – Drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC), si dhe akademikëve Gëzim Hoxha dhe Adem Buguri, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, z. Qerim Ismailaj, për mbështetjen ndaj projektit.
Takimi u mbyll me një diskutim konstruktiv mbi ecurinë e projektit dhe miratimin formal të planit të punës dhe afatit kohor për muajt në vijim.





