Qyteti antik i Klosit është ngritur mbi një pllajë kodrinore, 355 m mbi nivelin e detit. Muret rrethuese kanë një gjatësi prej 1850 metrash dhe sipërfaqja brenda tyre është rreth 18 hektarë.
Në fazën e parë të ndërtimit (gjysma e dytë e shek. V p.e.s.), muret u ngritën me blloqe trapezoidale dhe poligonale, ndërsa në fazën e dytë (mesi i shek. IV p.e.s.) me blloqe kuadratike. Qyteti kishte vetëm një hyrje dhe tre kulla të vendosura në pikat më të ekspozuara të mbrojtjes.
Rreth mesit të shek. III p.e.s. u formësua agoraja e qytetit, ku u ndërtuan teatri dhe stoa. Qyteti antik i Klosit përfaqëson një nga qendrat urbane më të hershme të Ilirisë; mbishkrimet me emra prytanësh të zbuluara këtu dëshmojnë për një jetë shoqërore, ekonomike dhe politike të zhvilluar, brenda kuadrit të bylinëve.


Nikaia Antike
Klosi është qendra më e hershme urbane në territorin e bylinëve. Të dhënat arkeologjike tregojnë për një proces transformimi urban të një vendbanimi më të hershëm lokal. Faza më e hershme e ndërtimit të murit rrethues të qytetit duhet të datojë në gjysmën e dytë të shek V p.e.s. Kjo është edhe data tradicionale e themelimit të qytetit, i cili është identifikuar me qendra të ndryshme antike nga autorë të ndryshëm. Sidoqoftë, identifikimi më i argumentuar mbetet ai i propozuar nga Louis Robert, si qyteti bylin Nikaia, mbi bazën e deshifrimit të një mbishkrimi.
Bylisi, nga ana tjetër, sipas të gjitha të dhënave arkeologjike do të duhet të jetë themeluar në mesin e shekullit të IV p.e.s. Vendosja e dy qendrave urbani vetëm një kilometër larg njera-tjetrës ka çuar në mendimin se ata formonin një dyqytet në të cilin Klosi ka vazhduar të njihet si Nikaia. Sidoqoftë, të dhënat arkeologjike sugjerojnë për bashkë-ekzistencën e dy qyteteve byline të pavarura, por me një lidhje tradicionalisht të fortë me njeri-tjetrin. Në literaturë është shprehur edhe mendimi se banorët e Klosit kanë qenë ndër themeluesit e Bylisit në mesin e shekullit të IV p.e.s., por arsyet e kësaj ndërmarrjeje mbeten jo plotësisht të qarta, apo të argumentuara historikisht.
