Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS) dhe Politecnico di Milano (POLIMI), në kuadër të projektit “EU for Economic Development – Tourism-led, Local, Economic Development, with a focus on Cultural Heritage”, që financohet nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve lokale në menaxhimin, ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me fokus të veçantë në Parkun Arkeologjik të Bylisit (BKAP).
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashikohet zhvillimi i një programi të gjerë capacity building, i cili përfshin:
- Sesione trajnimi mbi menaxhimin e parkut Arkeologjik Bylis-Klos, restaurimin, muzealizimin, arkeologjinë dhe fusha të lidhura, me pjesëmarrjen e 24 profesionistëve dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe mbi 20 personave të tjerë të komunitetit zonës.
- Hartimin dhe zbatimin e planeve për shëndetin dhe sigurinë, menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe mbrojtjen nga zjarri, me mbështetjen e mundshme të ekspertëve të jashtëm ndërkombëtarë.
- Organizimin e tre konferencave ndërkombëtare, të fokusuara në Bylis, si platforma shkëmbimi përvojash dhe praktikash më të mira në nivel evropian.
Elementi më i rëndësishëm i marrëveshjes është krijimi i “Scuola Cantiere”, një model inovativ trajnimi on-site, që kombinon formimin profesional me punën praktike në terren. Qëllimi është të përfshihen profesionistë të rinj, komuniteti lokal dhe vizitorët përmes restaurimit të një prej mozaikëve në Parkun Arkeologjik të Bylisit, duke rritur kështu shikueshmërinë dhe vlerësimin e kësaj pasurie të jashtëzakonshme kulturore në këtë zonë të Shqipërisë.
Marrëveshja AICS–POLIMI konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të investimit në dije si themel për zhvillimin lokal të qëndrueshëm, përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë falë këtij financimi të Bashkimit Evropian.
