Më 4 shtator 2025, u zhvillua në Bashkinë Mallakastër prezantimi i draftit të parë të Planit të Konservimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit. Ky hap i rëndësishëm për ruajtjen e kësaj pasurie kulturore të rajonit të Mallakastrës financohet nga Programi i Bashkimit Evropian EU-IPA II për Shqipërinë, në kuadër të projektit “EU for Economic Development – Tourism-led, Local, Economic Development, with a focus on Cultural Heritage”, me agjenci zbatuese Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).
Takimi u zhvillua në praninë e Kryetarit të Bashkisë, z. Qerim Ismailaj, Drejtoreshës së IKTK-së, znj. Joli Mitrojorgji, Drejtoreshës së parkut, znj. Ornela Durmishi, si dhe një grupi pjesëmarrësish të tjerë, përfshirë ekspertë të fushës, banorë të zonës dhe përfaqësues të bizneseve vendore.
Qëllimi kryesor i takimit ishte prezantimi i punës së kryer deri më tani nga ekspertët dhe nxitja e një diskutimi të hapur me të gjithë pjesëmarrësit mbi konservimin e monumenteve në park. Pas fjalëve përshëndetëse të Kryetarit të Bashkisë, z. Qerim Ismailaj, dhe të z. Ilir Parangoni, Team Leader i projektit, Prof. Neritan Ceka prezantoi punën e deritanishme të konsulentëve, e cila fokusohet në ruajtjen afatgjatë dhe promovimin e monumenteve të Bylisit. Gjithashtu, u paraqitën kontributet e specialistëve për mozaikët, z. Agron Islami dhe znj. Berbis Islami, si dhe perspektiva mbi turizmin dhe zhvillimin komunitar nga z. Genc Metohu.
Më pas, znj. Joli Mitrojorgji, drejtoreshë e IKTK-së, vlerësoi programin dhe rëndësinë që po merr siti, duke theksuar bashkëpunimin mes IKTK-së, MEKI-t dhe AICS-it. Ajo foli mbi procesin e dhënies së sugjerimeve nga IKTK për draftin e parë dhe falënderoi ekspertët për kontributin e dhënë. Znj. Mitrojorgji gjithashtu vlerësoi punën e kryer ndër vite nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga profesorët e nderuar, duke siguruar angazhimin e institucionit që ajo përfaqëson për bashkëpunimin në vazhdim të këtij projekti.
Një moment i veçantë i takimit ishte dialogu i hapur me përfaqësuesit e komuniteteve përreth parkut. Ata ndanë ide dhe sugjerime mbi mënyrat se si banorët mund të përfshihen më aktivisht në proceset e konservimit dhe menaxhimit të ardhshëm të parkut. Diskutimet theksuan se kujdesi për trashëgiminë nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një mision i përbashkët që sjell përfitime konkrete për komunitetin lokal.
Drafti i studimit për hartimin e Planit të Konservimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit është dorëzuar zyrtarisht në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) gjatë muajit gusht, ku është shqyrtuar dhe komentuar. Komentet e IKKTK-së, së bashku me sugjerimet e mbledhura nga takimi me banorët, do të integrohen në versionin final të planit. Ky version do të dorëzohet për miratim në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) në fund të muajit shtator 2025.


