Në kuadër të projektit “EU for Economic Development – Tourism-led, local economic development, with a focus on Cultural Heritage” (AID 12293), një delegacion nga Shqipëria mori pjesë në një program të avancuar trajnimi dhe vizitash studimore në Itali, i zhvilluar në Milano dhe Ravenna gjatë datave 20–24 prill 2026.
Programi u organizua nga Politecnico di Milano (POLIMI), në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, dhe u drejtua nga një ekip akademik i përbërë nga Prof.ssa Nora Lombardini, Prof. Lorenc Bejko dhe Prof. Iris Pojani.
Në program morën pjesë studentë shqiptarë, profesionistë që punojnë në sektorin publik të trashëgimisë kulturore, si dhe përfaqësues dhe drejtues institucionesh të trashëgimisë në nivel qendror dhe lokal, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme shkëmbimi midis botës akademike dhe praktikës institucionale.
Programi nisi në Milano me një konferencë shkencore të përbashkët dhe vijoi me sesione teknike në laboratorët e POLIMI, ku pjesëmarrësit u njohën me metodologjitë më të avancuara në fushën e restaurimit, dokumentimit digjital dhe përdorimit të teknologjive inovative në menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Aktivitetet vijuan në Ravenna, e njohur ndërkombëtarisht si një qendër ekselence për restaurimin e mozaikëve. Programi u fokusua në mësimin praktik përmes seminareve teknike dhe vizitave në terren. Pjesëmarrësit vizituan site të menaxhuara nga RavennAntica, duke marrë njohuri konkrete mbi modelet e menaxhimit, sfidat operacionale dhe strategjitë e valorizimit të trashëgimisë.
Vizitat teknike në Parkun Arkeologjik të Classe dhe laboratorët e restaurimit ofruan një përvojë të drejtpërdrejtë mbi proceset e dokumentimit, ndërhyrjes dhe ruajtjes së materialeve arkeologjike, me fokus të veçantë në mozaikët.
Një komponent i rëndësishëm i misionit ishte edhe takimi i koordinimit me Regione Emilia-Romagna dhe ART-ER, ku u diskutua planifikimi i aktiviteteve që do të zbatohen në terren gjatë vitit 2026. Në këtë kuadër, modeli “Scuola Cantiere” u identifikua si një instrument kyç për forcimin e aftësive praktike dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale.
Ky shkëmbim njohurish dhe përvojash përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe teknike në Shqipëri, me aplikim të drejtpërdrejtë në menaxhimin dhe konservimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit.





