Brezi i ri i udhërrëfyesve vendas në Mallakastër përgatitet të promovojë trashëgiminë e Bylisit Draft
Kur e vizitoi për herë të parë Parkun Arkeologjik të Bylisit, Florjan Musaraj ishte pesë vjeç. I rritur në fshatin atypari, Kash, ai kujton se si ecte nëpër park me të atin dhe e dëgjonte tek pëshpëriste histori për lavdinë e qytetit të lashtë.
“Ai më thoshte se emri i zonës, Mallakastër, sipas legjendës, rrjedh nga një thënie e pushtuesve që e quanin atë kështjellë të keqe (Mal’castelo) sepse ishte shumë e vështirë për t’u pushtuar. Si fëmijë, shkoja atje çdo vit dhe kjo është arsyeja pse kam një lidhje kaq të veçantë me qytetin historik dhe kulturën e tij. Për mua, Bylisi përfaqëson jo vetëm një histori të gjatë, por edhe një histori personale kujtimesh familjare, piknikësh dhe përvojash fëmijërie”, thotë Musaraj.
Ishte kjo lidhje personale që e shtyu atë të aplikonte për një thirrje të hapur për të trajnuar udhërrëfyes turistikë vendas, si pjesë e programit “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgimia Kulturore”. Projekti, i mbështetur nga BE-ja, punon për përmirësimin e aftësive dhe kapaciteteve, duke rritur në të njëjtën kohë bashkëpunimin mes komuniteteve vendore dhe administratës së parkut. Musaraj e pa këtë si një mundësi për të zgjeruar njohuritë e tij, për të forcuar marrëdhënien me Parkun Arkeologjik të Bylisit dhe për të ndarë historinë e tij me turistët, vizitorët dhe brezat e ardhshëm.
“Mua më dukej si detyrë dhe mision. Kam studiuar inxhinieri elektrike në Tiranë dhe kur u ktheva në fshatin tim, doja të krijoja mundësi për të rinj si unë, në mënyrë që të mos ju duhej të largoheshin. Është kjo arsyeja pse aplikova për këtë kurs trajnimi. Është një mundësi e mirë për të rinjtë që të promovojnë vlerat historike dhe kulturore të Mallakastrës”, shpjegon ai.
Musaraj është një nga 16 aplikantët që ndjekin leksione në module të ndryshme, duke mësuar historinë e vendit nga Profesor Neritan Ceka, i cili ka gërmuar atje për dekada, si dhe duke ndjekur trajnime komunikimi. Aplikantët do të certifikohen në nëntor.





