Një delegacion nga Bashkia e Mallakastrës zhvilloi një vizitë në rajonin Emilia-Romagna nga data 29 shtator deri më 3 tetor, në kuadër të projektit Byllis, i cili synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të zonës në rajonin e Fierit.
Grupi përbëhej nga kryetari i bashkisë, z.Qerim Ismailaj, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Nexhmi Sulaj, dhe drejtoresha e sektorit të Kulturës dhe Turizmit në të njëjtën bashki, znj. Naime Dervishaj.
Takimi institucional në Rajonin Emilia-Romagna u zhvillua në përfundim të vizitës: të enjten, më 2 tetor, delegacioni u takua me sektorin e Bashkëpunimit Territorial Evropian për të diskutuar mbi projektin me financim të Bashkimit Evropian “BYLLIS – EU for Economic Development – Tourism-led local economic development with a focus on cultural heritage”.
Ky projekt synon të nxisë zhvillimin ekonomik të Mallakastrës duke vënë në vlerë potencialet e saj turistike, të lidhura kryesisht me praninë në zonë të sitit arkeologjik ilir të Bylisit. Rajoni Emilia-Romagna, me mbështetjen e ART-ER, është partner i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) për zbatimin e aktiviteteve të projektit që lidhen me përfshirjen e komunitetit lokal dhe të aktorëve të interesuar në procesin e zhvillimit turistik.
Gjatë vizitës në Emilia-Romagna, delegacioni pati mundësinë të shkëmbejë eksperienca me territoret e Valmarecchia dhe Valle del Savio. Këto dy territore u zgjodhën si bashkëbisedues për shkak të ngjashmërive që kanë me atë të Mallakastrës: objektivi i vizitës ishte të prezantoheshin përpara administratës shembuj të zonave të brendshme që kanë investuar në zhvillimin turistik, duke shfrytëzuar si afërsinë me destinacione bregdetare ashtu edhe larminë e burimeve që ofron territori — kulturore, historike, peizazh-natyrore dhe gastronomike.
Gjatë vizitës u zhvilluan gjithashtu shkëmbime me përfaqësuesit e administratave vendore të dy luginave: Bashkitë Verucchio, San Leo (RN), Sarsina, Mercato Saraceno (FC), Bashkimin e Komunave të Val di Savio, me dy Grupet e Veprimit Lokal (GAL Valli Marecchia e Conca dhe GAL L’Altra Romagna), si dhe me iniciativa të aktivizimit të komuniteteve lokale si kooperativa e komunitetit Fer-Menti Leontine.


